Kete shkrim mund ta lexoni tek revista Living, numri i veres 2019.

Me ardhjen e pushimeve verore, fëmijët hyjnë në “stinën e ëmbël” të zgjimit të vonë në mëngjes, ushqimit të shijshëm të gjysheve, lojërave të larmishme në natyrë (ose në shtëpi, kur është piku i vapës) dhe aventurave të paharrueshme me shokët.

Fëmijët janë inteligjentë dhe mësojnë e përvetësojnë informacion gjithë kohën. Një mënyrë për t’i nxitur që të luajnë në shkollë apo edhe në lagje gjatë pushimeve, janë grupet. Ata mund të luajnë në grupe të përziera, por edhe në grupe me anëtarë të së njëjtës gjini.

Fëmijët luajnë kudo, por nëse ndokush e ka pak të vështirë të krijojë miqësi apo të përshtatet me të tjerët, krijimi i grupeve sipas gjinive funksionon gjithmonë. Në këtë mënyrë, ata mësojnë se duhet të përshtaten dhe të zbatojnë rregullat, të cilat janë njësoj për të gjithë.

Përveçse luajnë, krijojnë miqësi të reja apo forcojnë ato ekzistueset, fëmijët mësojnë të jenë të përgjegjshëm. Në grup nuk është mami, babi apo gjyshja, që t’i llastojë. Aty fëmija është i barabartë me moshatarët dhe shkelja e rregullave dhe e betimit e bën të jetë më i matur për mënyrën se si sillet dhe përshtatet me të tjerët.

Bëjuani interesante idenë e grupit fëmijëve. Prezantojini me të në mënyrë që ta pëlqejnë dhe njëkohësisht ta dëshirojnë. Ndihmojini të qartësojnë mendimet për qëllimin e grupit (fëmijët shpesh formojnë grupe që të grinden me një grup tjetër apo që të sundojnë të tjerët në klasë).

Qëllimi duhet të jetë argëtues, informues, nxitës dhe të forcojë dashurinë dhe miqësinë mes tyre.

Ndihmojini të shkruajnë rregulloren e grupit dhe t’u japin nga një kopje të gjithë anëtarëve. Më poshtë do të gjeni një rregullore e cila mund të përdoret për të dyja grupet e fëmijëve, si për vajza, edhe për djem, dhe do t’ju ndihmojë të qartësoni idetë. Ju mund të bëni versionin tuaj të një rregulloreje.

GRUPI I DJEMVE – ZEMËRLUANËT

GRUPI I VAJZAVE – LULET SHUMËNGJYRËSHE

RREGULLORJA E GRUPIT

  1. Anëtarët e grupit janë vetëm vajza/djem.
  2. Të gjithë e respektojnë njëri-tjetrin dhe e ndihmojnë në rast nevoje e vështirësie.
  3. Nuk thonë kurrë gënjeshtra, nuk flasin keq për të tjerët, u binden prindërve dhe mësuesve.
  4. Kanë dëshirë të mësojnë në shkollë dhe u pëlqen të lexojnë libra jashtëshkollorë.
  5. Luajnë pa u grindur dhe nuk thonë fjalë të këqija.
  6. Nuk bëjnë zhurmë në orë të mësimit dhe nuk hedhin mbeturina në tokë.
  7. Luajnë lojëra të zgjedhura me kujdes, që u zhvillojnë fantazinë.
  8. E duan shumë njëri-tjetrin dhe i respektojnë të gjithë.
  9. Nuk mbajnë inate me njëri-tjetrin dhe nuk bezdisin askënd.
  10. Të gjithë duhet të bëjnë betimin e grupit, edhe anëtarët e rinj.

BETIMI I GRUPEVE

Betohemi se do ta ndihmojmë njëri-tjetrin për të marrë nota sa më të mira. Nuk do të gënjejmë kurrë prindërit, mësuesit, shokët, por do të themi gjithmonë të vërtetën. Betohemi se do të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe do të luajmë gjithmonë së bashku. Betohemi se nuk do të mbajmë inate mes nesh dhe nuk do të nxjerrim sekretet e grupit.

(Vajzat) Betohemi se do të jemi vajza fantastike, të mira, të sinqerta e të palodhura. Do të festojmë me gëzim ditëlindjet e njëra-tjetrës dhe do të organizojmë aktivitete të mrekullueshme.

(Djemtë) Betohemi se do të jemi zemërluanë, të mirë, të ndershëm e të palodhur.

(Njëzëri) Betohemi se do ta mbajmë fjalën e dhënë. BETOHEMI!

Ndërkohë, po listoj disa ide praktike për aktivitete të ndryshme që prindërit dhe fëmijët mund të shijojnë gjatë kësaj vere.

  1. Xhiro me biçikletë. Mos harroni të merrni ujë dhe kapela me vete, e mbi të gjitha, lyhuni me krem mbrojtës, nëse do të shëtisni në kohë me diell.
  2. Bëni akullore në shtëpi. Përdorni receta me fruta, kos dhe fruta arrore. Revista “Living” ofron çdo verë receta të shëndetshme akulloresh.
  3. Dilni për një piknik në natyrë. Merrni me vete shokë, shoqe dhe lojëra tavoline që mund t’i luani së bashku, si: domino, UNO, stratego etj.
  4. Vizatoni në asfaltin përpara shtëpisë me shkumësa me ngjyra. Është kaq argëtuese! Mos u shqetësoni kur të hasni vështrimet e habitura të fqinjëve.
  5. Kudo që të jeni, gjeni një natë kur yjet duken qartë, dilni në ballkon dhe vëzhgojini së bashku. Nëse jeni me pushime ose jetoni jashtë qytetit, shtroni një batanije dhe vëzhgojini ato. Gjeni yjësitë dhe dëgjoni muzikë çlodhëse.
  6. Bëni eksperimente shkencore me fëmijët. Në internet mund të gjeni ide dhe receta të tilla. Përdorni sodë buke, uthull, limon për të shpërthyer vullkane në lavamanin e kuzhinës.
  7. Mbushni tullumbace me ujë dhe luani topa luftash me to.
  8. Blini libra për fëmijë.
  9. Vizitoni bibliotekën e lagjes dhe bëhuni anëtarë të saj.
  10. Ndërtoni një tendë mes karrigeve dhe tryezës, duke përdorur çarçafë me ngjyra.
  11. Luani duke formuar një pazëll.
  12. Shkruani me shkumë rroje alfabetin në pasqyrë, kuptohet, më pas duhet ta pastroni e ta bëni xixë.
  13. Mbillni lule dhe perime nëpër vazo dhe përgatitni etiketa të vogla emërtuese. Mos harroni t’i ujitni çdo ditë.
  14. Bëni një xhiro në tregun e perimeve. Shikoni ngjyrat dhe larminë e perimeve, dhe jepni informacione për to.
  15. Shkoni në kinema. Ruajeni biletën dhe nxitini fëmijët që t’i mbajnë ato në një ditar.
  16. Bëni një balonë së bashku dhe ngrijeni në fluturim.
  17. Bëni sa më shumë foto së bashku.

Mbi të gjitha, shijoni çdo çast së bashku! Vini në punë fantazinë dhe zgjoni fëmijën brenda jush 🙂

Prindërim të mbarë!

Miqësisht e juaja,

Edi Gogu